Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale do të shqyrtohet të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ky projektligj, që mundëson tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale, po përkrahet nga partitë opozitare, por jo edhe nga ajo e pushtetit.

Këtij qëndrimi, do t’i shkoj deri në fund, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.

Ai në një prononcim për Front Online thotë se nesër do të dalë qëndrimi zyrtarë i Lëvizjes, por që tashmë është i ditur.

“ Ne qëndrimin e kemi të qartë Lëvizja Vetëvendosje, nuk besoj që ka nevojë për pyetje shtesë. Nesër e kemi si pikë të rendit në komision, dhe do të dal qëndrimi zyrtar i  Lëvizjes”, ai thotë.

Haliti thotë se është ai që në vitin e kaluar ka votuar kundër kësaj praktike.

“Po sigurisht, unë edhe në vitin e kaluar, në mandatin e kaluar kam votuar kundër kësaj praktike”, thotë ai për Front Online.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovë të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale, ka ditë që ka shkaktuar debat në Kosovë.

Propozim të tillë e ka bërë në mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Kjo parti, bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Qeveria e Kosovës, kanë dalë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi sipas tyre, nuk i ndihmon kategoritë në nevojë.