Deputeti i VV-së: Driton Selmanaj na provokoi sot në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ishte i ftuar sot në emisionin Frontal me Arsim Lanin në T7.

Abrashi foli edhe  për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj në seancën e sotme për personat me aftësi të kufizuara.

Pjesëmarrjen e tij në seancë Abrashi e ka cilësuar provokim.

“Sot ishte seanca për ta pagjeturit dhe ai erdhi në seancë. Ai na provokoi mirëpo ne nuk reaguam për shkak të temës së seancës. Nesër do të kemi një seancë tjetër”, tha ai.

Kjo parti e ka shpallur Selmanajn  person i padëshirueshëm në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pas deklaratave të tij drejtuar për deputeten e VV-së, Saranda Bogujevci.

Saranda Boguejvci e ftuar në emisionin në T7 pati thënë se këto deklarata e kanë fyer më shumë se gjithçka tjetër.

“Unë jetoj me atë pjesë çdo ditë, mësohesh me gjet mënyrën me jetu, nuk e harron kurrë, nuk largohet, bohet pjesë e jotja dhe unë do të jetoj me këtë pjesë derisa të vdes. Deklarata e Driton Selmanajt, zv.kryeministër i Kosovës thotë se kanë fyer më shumë se gjithçka tjetër”, ka thënë Bogujevci.

Ndërsa, Selmanaj ka thënë se është keqinterpretuar deklarata e djeshme në Pressing për Saranda Bogujevcin.

Selmanaj i tha Gazetës Express se të gjithë ata që kanë reaguar duhet të shikojnë emisionin pasi ajo çfarë ka thënë është se “Jemi lodhë nga keqpërdorimi dhe manipulimi që mbi këto tema të ndishme që dikush provon me ndërtu kauzë politike”, duke shtuar se krejt kjo është një fushatë shpifëse kundër tij.