Deputeti i Vetëvendosjes mori 111 mijë euro pagë vjetore

Nga paga vjetore prej 111 mijë eurove, Jahja Kokaj ka arritur të krijojë pasuri prej mbi një milion euro.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme milionëshe.

Kokaj ka deklaruar se ka në pronësi dy apartamente banimi, dy shtëpi dhe një lokal, raporton Insajderi.

Si pasuri të luajtshme, profesori i fizikës ka deklaruar një veturë të markës Toyota, me vlerë 12 mijë euro.

Krejt kjo pasuri, siç ka deklaruar deputeti Kokaj, është arritur nga të hyrat e tij si ligjërues në Universitetin e Kuvajtit dhe si ligjërues në Universitetin “Carbegie Mellon” të Pitsburgut.

Në Universitetin e Kuvajtit, ai ka thënë se merr pagë prej 9 mijë eurove në muaj.

“Të ardhurat mujore janë siguruar nga diaspora: nga Universiteti Carbegie Mellon Pittsburgh, 1990-1992”, ka thënë ai. “Të ardhurat mujore nga Unversiteti i Kuvajtit nga viti 1992-2019: + biletat e të gjitha udhëtimeve + mobilimi i banesës në mënyrë periodike + shkollimi i fëmijëve në të gjitha nivelet ishin të paguara + 3107 KD (9289 Euro) mujore”.