Deputeti i PS Rrahman Rraja lë mandatin: Ju kërkoj ndjesë viktimave të dhunës, dështova si prind

Deputeti i PS Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga politika pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Krujë, ku vëllezërit e tij, djali i tij Rexhep Rraja dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja kanë dhunuar barbarisht me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë dy kushërinjtë, Jashar dhe Bilbil Maja teksa po konsumonin një kafe.

Njoftimin e tij të dorëheqjes në rrjete sociale Rraja e nis me një kërkim ndjese ndaj të gjithë kolegëve të grupit parlamentar dhe votuesve që e emëruan kryetar komune dhe i dhanë 2 mandate si deputet.

Me një kërkim ndjese ka dhe për viktimat e dhunës, por edhe për kreun e qeverisë, për të cilin thotë se s’kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktoi.

Reagimi i dorëheqjes:

“Nuk kam fjale per ta shprehur sikletin karshi te gjithe atyre qe me kane besuar gjithe keto vite. Fatkeqesisht une deshtova si prind dhe ndjehem i turperuar publikisht nga femija im. Ju kerkoj ndjese shokeve dhe kolegeve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorezimin e mandatit te deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike. Ju kerkoj ndjese atyre qe me kane dhene voten prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kerkoj ndjese viktimave te asaj dhune turperuese për familjen time. I bej thirrje djalit tim te dorezohet para drejtesise. Zoti me dhente force qe ta perballoj kete dhimbje te madhe dhe jete qe ta shlyej kete turp qe me la mbi shpatulla si gur im bir. Ne fund mirenjohje dhe ndjese edhe kryetarit te partise dhe kryeministrit, i cili nuk me kishte asnje borxh per kete shqetesim kaq te madh publik qe i shkaktova”.

Në lidhje me këtë ngjarje është publikuar një video që është xhiruar nga një prej agresorëve gjatë konfliktit që ndodhi dy ditë më parë në aksin Fushë-Krujë Thumanë ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy persona nga fisi Maja. Këta të fundit banorë të Borizanës, kishin denoncuar herë pas here fisin Rraja për aktivitetin e tyre te guroret, pasi sipas tyre shpërthimet në mënyrë të pakontrolluar kishin shkaktuar dëme të mëdha te banesat.