Deputeti i LVV’së pyet Qeverinë: Ku mbetën 300 milionë euro nga marrëveshjet ndërkombëtare

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka pyetur Qeverinë se ku kanë mbetur 300 milionë euro financim e kredi shtesë që ua dha Kuvendi për t’i ndihmuar qytetarët e bizneset.

Murati në një postim në Facebook, ka thënë se LV i ka votuar të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare për të mundësuar ratifikimin e tyre me 80 vota.

“Pse po u dashka të preken kursimet e qytetarëve, kur kjo qeveri i ka 300 milionë euro në dispozicion? Apo ndoshta këto para po i ruajnë për t’u dhënë tenderë firmave të veta?”, ka shkruar Murati.

Postimi i plotë:

Janë rreth 300 milionë euro financim e kredi shtesë që Kuvendi i ka vënë në dispozicion kësaj qeverie jolegjitime për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve e bizneseve.
Ne si Lëvizje Vetëvendosje! i kemi votuar të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare për të mundësuar ratifikimin e tyre me 80 vota, megjithëse jemi në opozitë.
Ku mbetën këto para? Pse nuk po ndihmohen qytetarët e bizneset tani?
Pse po u dashka të preken kursimet e qytetarëve, kur kjo qeveri i ka 300 milionë euro në dispozicion? Apo ndoshta këto para po i ruajnë për t’u dhënë tenderë firmave të veta?