Deputeti i LVV-së i reagon Ministrisë së Mbrojtjes: Duhet pranuar se ishte gabim rreshtimi i ushtarëve tanë para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb

Një ngjarje përkujtuese që është mbajtur  me 11 nëntor në Prishtinë nga Ambasada franceze, në bashkëpunim me Misionin diplomatik gjerman në kryeqytetin e Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe skenën politike të Kosovës.

Garda Ceremoniale e FSK-së ka qenë prezente duke bërë nderime te pllakatat e vendosura në Lagjen “Arbëria” të Prishtinës që kujtojnë ushtarët e vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18.

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.

“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje”, ka sqaruar Ministria e Mbrojtjes.

Ministria thotë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman.

“Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb”, thekson tutje reagimi.

Ndaj këtij reagimi ka reaguar deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.

Ai ka thënë se Ministria e Mbrojtes bën tjetër gabim kur mundohet të justifikojë prezencën e FSK-së në nderimin e atyre ushtarëve.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe Garda Ceremoniale e FSK-së

“Çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetvete. Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve”.Reklama

“Është e vërtetë se aty janë edhe dy pllaka tjera përkujtuese për ushtarët francez dhe gjerman, por mbizotëron pllaka e madhe e përkujtimit të ushtarëve serb, prandaj në këtë rast do duhej të pranohej lëshimi-gabimi dhe të mos përsëritej më”, ka replikuar Dugolli në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Edhe ish-zyrtari tjetër i LVV-së që ka qenë zëvendësministër i Arsimit, Jusuf Thaçi ka thënë se nderimi i ushtarëve të FSK-së në ato pllakata është i pafalshëm.

“Nuk ka uniformë serbe (ushtri, xhandarmëri, polici, milici, paramilitarë, etj.) gjatë shekullit 20 që të kenë kaluar a qëndruar në Kosovë e të mos kenë bërë krime ndaj shqiptarëve të Kosovës”.

“Prandaj, çdo nderim që u bëhet të tillëve nga institucionet e Kosovës është e pafalshme, sepse përbën fyerje për viktimat dhe amnisti për krimet e kriminelët”, ka shkruar tutje Thaçi.

Kujtojmë se reagimin që Roja e Nderit të FSK-së kanë nderuar pllakën dedikuar ushtarëve serb, e bëri anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari.

Nurellari thotë se ishte skandal i jashtëzakonshëm prania e FSK-së në një nderim të tillë.