Deputeti i LDK-së thotë se do të votojë për rrëzimin e Qeverisë Hoti

Votën për rrëzimin e qeverisë Hoti së fundi e ka konfirmuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, duke sfiduar kështu Lëvizjen Vetëvendosje, që ta sjellin në Kuvend mocionin për rrëzimin e qeverisë.

Por tashmë nuk janë vetëm LVV e PDK, por edhe dy deputetët e AKR-së që do të votojnë për rrëzimin e kësaj qeverise. Kështu të paktën kanë thënë zyrtarët e partisë së Behgjet Pacollit.

Rrëzimin e Qeverisë Hoti nuk po e kërkojnë vetëm partitë në opozitë, por po e kërkon edhe deputeti i partisë në pozitë, Haxhi Avdyli (LDK), deputet që kishte votuar së bashku me Vjosa Osmanin kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.

Deputeti Avdyli konsideron se Qeveria Hoti tashmë nuk i ka numrat në Kuvend, dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Avdyli në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka pohuar se Qeveria po bojkotohet në vazhdimësi edhe nga Lista Serbe.

“Mendoj që qeveria veç është e rrëzuar nuk po i ka numrat e vet për të funksionuar, ajo është formuar me votat e 61 deputetëve, tani një deputet nuk është si pasojë e një dënimi. Faktikisht kjo qeveri është nën numrat e duhur për të funksionuar me ligje e me gjëra tjera. Mendoj që një qeveri e tillë që është nën numra, sepse jo vetëm ky deputet por edhe Lista Serbe në vazhdimësi është duke e bojkotuar këtë qeveri, kjo pra është e rënë. Sa do të vazhdojë kështu nuk e di, sepse akoma nuk janë bërë 61 numra për ta rrëzuar për shkak të mosmarrëveshjeve të partive politike”, u shpreh ai.