Deputeti i LDK-së: Kurti nuk e nderoi Rugovën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të mos e vizitojë varrin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ditën kur e nderoi komandantin legjendar, Adem Jashari.

Edhe pse shpreson se kjo mund të ndodhë, Avdyli, si mysafir në emisionin “Frontal”, në T7, ka thënë se kjo gjë është dashur të ndodhë në ditën e parë të Kurtit si kryeminstër.

“Unë mendoj që duhet të nderohet në ditën e parë, por qeveria e parasheh ndryshe politikën e saj. Megjithatë, roli i Rugovës nuk zbehet nga ajo se a nderohet apo jo”, ka thënë Avdyli. 

“Ata që e nderojnë presidentin, e nderojnë veten”, ka thënë deputeti i LDK’së, duke i cilësuar si jo të sinqerta nderimet që i janë bërë Rugovës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Ata e kanë bërë. Thaçi e Veseli e kanë bërë më shumë me sherr, e kanë bërë sa për sy e faqe. E kanë nderuar më shumë kur ka vdekur”, ka thënë Avdyli.

Megjithatë, Avdyli ka vlerësuar se nderimi më i madh që mund t’i bëhet Rugovës është që kjo qeveri të punojë mirë për Kosovën.