Deputeti i Kurtit nuk del kundër tërheqjes së Trustit: Tregon se si do të veprojë

Komisioni për Buxhet, Financa dhe Transfere ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën pikë diskutimi e votimi ishte edhe tërheqja e mjeteve nga Trusti.

Pavarësisht diskutimit, iniciativa për ndryshimin e Ligji për Fondin Pensional që mundëson këtë tërheqje nuk kaloi në Komision.

Kundër propozimit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa pro votuan ata nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, AAK si dhe deputetja nga Lista Serbe.

E më i zëshëm kundër këtij propozimi ishte deputeti nga radhët e VV-së, Armend Muja. Ai tha se praktika e tërheqjes së Trustit nuk ndodhë në asnjë vend të Evropës, teksa shtoi se do të përdorë çdo mekanizëm për ta kundërshtuar atë.

Kaq kundër kësaj mundësie nuk është edhe deputeti i të njëjtës parti, Fatmir Humolli. Për dallim nga deputetët dhe ministrat e Kurtit të cilët po shfrytëzojnë secilën mundësi për të parandaluar këtë lëvizje, Humolli duket se nuk do t’i bashkëngjitet grupit të tij parlamentar.

I kontaktuar nga lajmi.net, Humolli deklaroi se në rast të hedhjes në votim në Kuvendin e Kosovës të ligjit të ri për tërheqjen e Trustit, ai do të abstenojë.

Arsyet e një vendimi të tillë ai tha se do t’i jap në Kuvend.

“Nuk do të votoj, por do të abstenoj. Arsyet do t’i tregoj në Kuvend”, tha shkurt Humolli.

Deputeti Humolli njihet për qëndrimet e tij që në raste jo të rralla kanë qenë në kundërshtim me ato që ka proklamuar partia e tij.

Së fundmi, Humolli kishte votuar edhe kundër Projektligjit që parashihte rritjen e pagës minimale në Kosovë. Kjo për arsyen se i njëjti nuk e përfshinte rritjen e pensioneve të veteranëve të UÇK-së.

Lidhur me këtë çështje, ditë më parë është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se nuk e sheh si zgjidhje të problemit, lejimin e tërheqjes së parave nga Trusti Pensional.

“Ne e kemi thënë edhe shumë më herët, edhe kur ishim në opozitë edhe tani. Me pakon e ringjalljes ekonomike, ne e zbusim krizën. Nuk konsideromë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm, ta zgjidhim problemin”, tha Kurti.