Deputeti i AAK’së: Si pasojë e masave anti-Covid, gjendja e invalidëve të UÇK-së po rëndohet

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka thënë se invalidët e UÇK-së po privohen nga Komisioni i Rivlerësimit të shkallës ivalidore për shkak të IKShPK-së.

Sipas Sylës, Zyra e komisionit i plotëson kushtet për punë.

“Invalidët e UÇK-së po privohen nga Komisioni i Rivlerësimit të shkallës invalidore, për shkak të IKShPK-së së Naser Ramadanit. Zyra e komisionit në fakt është mjaft e madhe dhe plotëson kushtet për punë pa rrezik”, ka shkruar Syla në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se rekomandimet e kanë rënduar gjendjen e invalidëve të UÇK-së dhe qytetarëve.

“Përderisa vazhdohet me këso rekomandime, gjendja e invalidëve dhe e qytetarëve vetëm rëndohet. Apeloj që të rivlerësohen masat; të lejohet mbajtja e komisioneve të rivlerësimit invalidor; të hapen tregjet e automjeteve dhe kafshëve”, ka shkruar Syla.

Sipas tij, qytetarët do të kujdesen për shëndetin e tyre, por kanë nevojë për punë.

“Populli është vetëdijesuar, do kujdesen vet për shëndetin dhe do zbatojnë rregullat, por ata kanë nevojë për punë, për ekzistencë”, ka përfunduar Syla.