Deputeti i AAK-së kërkon përkrahje për RTK-në: Ndryshe, duhet me ia qit drynin

Nënkryetari i Komsionit për Buxhet dhe Transfere, nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi, ka kërkuar t’i jepet përkrahje Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Në mbledhjen e komisionit ku po shqyrtohet rishikimi i buxhetit për vitin 2020, Abrashi ka thënë se me shkurtimet buxhetore vihet në pyetje vetë ekzistenca e RTK-së.

“Me këto shkurtime buxhetore është ardhë në pyetje ekzistenca e Radiotelevizionit të Kosovës për të cilin ne të gjithë duhet të pajtohemi që ai televizion qashtu qysh është duhet me funksionu. Të gjitha parametrat dhe shënimet të cilat i kam, nëse nuk ia japim një përkrahje Radiotelevizionit të Kosovës, atëherë ekziston mundësia që duhet me ia qit drynin. Unë nuk e di me këtë projeksion buxhetor, është një hendek i madh buxhetor për funksionimin e tij”, tha ai.

“Ne e kemi dëgjuar dhe kemi pas raportim të bordit. Situata është shqetësusese edhe nëse ky komision nuk e merr serioziosht këtë punë, ne mund të ballafaqohemi për një ekzsietncë reale, një funksionim të televizonit pulbik të Kosovës”, shtoi deputeti i AAK-së.

Kurse, ministrja e Financave Hykmete Bajrami tha se RTK-ja është e vetmja organizatë buxhetore e cila ka buxhetin nga niveli qendror, së cilës nuk i është shkurtuar buxheti.

“Ne me planifikimin që kemi bërë nuk kemi pasur hapësirë që atyre t’u shtojmë buxhetin”, tha ajo.