Deputeti gjerman: Dhuna në veri më solli në Kosovë

Deputeti gjerman, Peter Beyer, ka thënë se situata në veri e ka shtyrë që të vije sërish në Prishtinë.

Beyer, theksoi se ka biseduar me shumë persona për situatën që është duke mbretëruar në veri të vendit.

“Po është e vërtetë, jam rikthyer në Kosovë, këtë herë është një vendim spontan që e mora. Dhuna në veri më shtyu që spontanisht të vije në Prishtinë për të biseduar me shumë persona për zhvillimet në veri”, tha Beyer në Klan Kosova.

Fundjavën e kaluar në Prishtinë ka qëndruar Manuel Sarrazin, emisar gjerman për Ballkanin Perëndimor. Sarrazin erdh pas futjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet e tri komunave veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

“Porosia ime sot është që ne nuk do të lejojmë që këto mundësi, këto shanse që i ofron marrëveshja e Ohrit të hidhen poshtë për shkak të ndonjë vendimi të marrë”, ka thënë Sarrazin në Kosovë.

Ndërkaq, javës që vjen, Kosovën pritet ta vizitojnë emisarët perëndimorë, Gabriel Escobar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Miroslav Lajcak i Bashkimit Evropian.