Deputetët serbë vazhdojnë ngujimin në Kuvend në pritje të Hahnit

Të ngujuar brenda institucionit përfaqësues, të cilit nuk ia njohin denominimin “Republikë”, deputetët serbë kanë vendosur ta presin komisarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Politikanët serbë kanë ngritur nivelin e alarmit pas taksës së vendosur nga Qeveria për mallrat serbe dhe boshnjake. Kjo është tema kryesore të cilën komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi në BE do ta diskutojë edhe me liderët institucionalë të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, zyrtarët qeveritarë nuk kanë dhënë shenja zmbrapsjeje nga vendimi, i cili përveç Brukselit kundërshtohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për njohësit e zhvillimeve, situata e krijuar në veri po përdoret si “monedhë kusuritjeje” në kohën kur është paralajmëruar arritja e marrëveshjes përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.