Kuvendi

Deputetët: Më shumë kemi zëvendësministra sesa inspektorë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shpreh shqetësimin e tyre lidhur me numrin e vogël të inspektorëve. Sipas tyre, numri i inspektorëve është i vogël dhe se nuk po punohet në këtë drejtim.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se duhet të bëhet një reformë brenda inspektoratit meqë aty ka nevojë për kuadro profesional.

“Konsiderojmë që duhet të bëhet një reformim brenda inspektoratit sepse ka nevojë për kuadër profesional i cili vërtetë mund ta kryejë inspektimin në bazë ligjore dhe ta ndryshojë gjendjen sidomos në realizimin e të drejtave të punëtorëve që sot shkelen drastikisht, sidomos në pjesën e ekonomisë informale, dhe po ashtu kemi edhe raste drastike të vdekjeve, lëndimeve trupore, dhe pa ndonjë llogari-dhënie të drejtpërdrejt, e që ky inspektorat punën e vet do të pamundësonte, do të korrigjonte veprimet që dëmtojnë shëndetin e punëtorëve dhe jetën tyre”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Milam Zeka foli për gjendjen e keqe të punëtorëve në Kosovë, duke përmendur disa kategori të punëtorëve që janë të diskriminuar, e për të cilët Inspektorati nuk ka ndërmarrë asgjë.

“Do t’iu sugjeroja si ministri, që krahas këtij ligji ta rrisni kapacitetin e numrit të inspektoreve të punës, sepse është në dobi të shtetit të Kosovës. Mund të flas për disa kategori të punëtorëve që janë të diskriminuar në mënyrën më të tmerrshme në vendin në të cilin ne jetojmë. Psh i ke të gjithë punëtorët që punojnë në pompa të benzinës në Kosovë, të gjitha kompanive, pa i përmend këtu me emër, në kontratat e tyre dhe në orët e punës që ata punojnë, paguhen vetëm për tetë orë, ndonjëri prej tyre punon 12 orë. Kamerieret të cilët punojnë në çdo restoran, kafeteri, jo që punojnë 12 orë, por prej mëngjesit kur e fillojnë punën deri në ora 24:00, dhe paguhen vetëm për 8 orë”, tha ai.

Ai tha se punëtorët në sektori në shëndetësisë ka raste që punojnë 24 orë dhe nuk paguhen shtesë. Sipas tij, njëjtë veprohet me policinë, gazetarët e taksistët.

Deputetja nga PSD, Besa Baftiu tha se ka nevojë urgjente për rritje të numrit të inspektorëve.

“Shtohet pyetja si do të rritet numri i inspektorëve pa buxhet. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është arsyetuar se do të rrisë numrin e inspektorëve përmes riorganizimit të brendshëm dhe kostos shtesë financiare në kategoritë e tjera të shpenzimeve, kjo mbetët të shihet në të ardhmen sepse deri më tani nuk ka ndodh një gjë e tillë, nuk e kemi pas numri ne rritjes së inspektoreve. Sot në Kosovë më shumë kemi zëvendësministra sesa inspektorë, në mungesë të tyre është e pamundur të inspektohen veprimtaritë punuese. Sot në vendin e punës jo vetëm që shkelën të drejtat e punëtorëve të përcaktuara me ligj por shumë herë kushtet e punës janë edhe shkaktarë humbjes së jetës së punëtorëve”, tha ajo.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu kërkoi nga gjykatat që rastet e punëtorëve të trajnohen me prioritet.

“Shumë punëtore hezitojnë të bëjnë ankesa për shkeljen e të drejtave nga kompani të ndryshme, sepse kjo vjen në përfundim se ata përveç që humbin vendin e punës, edhe ashtu do të mbesin pa ato shumë paga, sepse e dimë që në sektorin privat edhe nuk paguhen me rregull, ata nuk do të vijnë kurrë para një drejtësie. Këtu kisha bërë kërkesë të veçante për gjykatat, të nxjerrin një plan pune që ankesat e punës të shqyrtohen me prioritet”, tha ajo.

Ndërsa sipas deputet nga Nisma Socialdemokrate, Enver Hotit, në administratë duhet të ndodh një reformë.

Ai tha se as kjo qeveri dhe as të tjerat, nuk kanë pas guxim t’i qasen reformës në administratë.

“Duhet të ndodh një reformë në administratë. Kjo qeveri dhe asnjë deri tani nuk e ka pas as casjen as guximin me ju qas reformës në administratë, mund të themi se me dhjetëra zyrtarë sille në administratën tonë, qoftë në nivelin qendror apo lokal, ndërsa inspektoratët janë me një numër shumë të kufizuar të cilët fare nuk mund të kryejnë punën e vet, e ndoshta kanë edhe ndikime të tjera, qoftë nga nivel i politikës qoftë nga nivel i ndërmarrësve apo fusha e afaristëve, të cilët e kanë lëshuar një gjendje krejtësisht të pakontrolluar dhe fare në interes të detyrave dhe përgjegjësive që i kanë”.

Kurse, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se sa i përket shqetësimit të respektimit të drejtave të punëtorëve, sigurisë dhe shëndetit në punë, kontratave, pagesave janë shqetësime me vend dhe po iu preokupojnë që nga dita kur kanë marrë mandatin.

“Qëllimi kryesor i këtij ligji është fuqizimi i rolit të këtij institucioni, që është gardiani i monitorimit të ligjit të punës…për të njëjtën periudhë kohore, në krahasim me vitin e kaluar me këtë numër të inspektorëve që i kemi në terren, i kemi 42 inspektor të cilët inspektojnë punën në terren për periudhën janar-tetor janë mbi 1000 inspektime në shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nuk jemi të kënaqur prapë me këtë që nuk shqipton gjoba, nuk është qëllimi i inspektoratit të shqiptohen gjoba“, tha ai.

Ai tha se duke e parë që ndërtimtaria është sektori ku shkelen të drejtat e punëtorëve, kanë nis një fushatë ndëshkuese dhe vetëdisuese. Në fund nuk pati kuorum që ky ligj të votohet.