Gjatë seancës së Kuvendit për votimin e Buxhetit dhe Projektligjit për paga, është votuar edhe Amandamenti 20 nga Komisioni funksional.
Në kuadër të këtij amandamenti, deputetja nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu ka propozuar një amandament tjetër i cili ka pasur për qëllim ndalimin e shtesave për deputetë.
“Qëllimi i këtij amandamenti është që të mos ketë shtesa për funksionarët. Ta zëmë shembull deputetët e Kuvendit të Kosovës përpos rrogës bazë, marrin edhe shtesa për Komisione Parlamentare, marrin shtesa për Seancat parlamentare, andaj kemi propozuar që këtë shtesë ta kanë vetëm anëtarët e Kuvendit Komunal pasi kanë vetëm njëherë seancë”, ka thënë Haxhiu, raporton Ballkani.info.
“Me koeficientin e ri, deputetët radhiten në koeficientin 8 nëse nuk gaboj, andaj edhe pagat e tyre i bie të jenë diku dy mijë e ca euro. Nuk besoj se duhet të marrin edhe shtesa të tjera, kur mjaftojnë pagat e tyre”, tha Haxhiu.
Amandamenti nuk arriti votat e duhura për të kaluar, me ç’rast deputetët do të vazhdojnë të marrin shtesat e tyre për pjesëmarrje në seanca apo komisione parlamentare. /Ballkani.info







