Deputetët kërkojnë zgjidhje për shqiptarët e Luginës

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar seancën e jashtëzakonshme, ku pikë të vetme të rendit të ditës e ka situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët po diskutojnë për situatën aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në seancën e jashtëzakonshme, kanë kërkuar që të zgjidhet çështja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, i cili njëherësh është edhe anëtarë i Komisionit për Administratë Publike, ka kërkuar që shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të gëzojnë të drejta ashtu si i gëzojnë serbët në Kosovë.

Ai ka treguar se pas vizitës që ka bërë me anëtarët e Komisionit për Administratë Publike në këto treva, janë njoftuar edhe me kërkesat që kanë pasur shqiptarët.

Sipas tij, njëra nga kërkesat është edhe pajisja me dokumente të Kosovës.

“Ata e kanë mundësinë e lëvizjes së lirë, por ata qëndrojnë aty në vendin e stërgjyshërve. Po bëhen 20 vite që ata nuk kanë dokumente. Aq të drejta që kanë serbët në Kosovë, tu jepet mundësia që të drejta të kenë edhe shqiptarët në Medvegjë”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë se kërkesë e shqiptarëve të Preshevës ka qenë që ata të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, por që sipas tij, këto janë çështje politike që vështirë që do të mund të realizohen.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Arban Abrash ka kërkuar nga deputetët që të marrim hapa për të kthyer shpresën te shqiptarët, duke u ofruar siguri e përkrahje.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka thënë se u janë përkeqësuar kushtet për jetesë.

Sipas tij, nëse institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë nuk i përkrahin shqiptarët në këto treva, atëherë ata do të ikin nga vendi i tyre.

Ai ka thënë se faji për zbrazjen e luginës sa bie mbi Serbinë do të bie edhe mbi Kosovën.

“Gjatë vizitës së Komisionit për Arsim në Bujanoc e Medvegjë jemi informuar me sfidat që po përballen mbi 55 mijë qytetarë që po jetojnë në Luginën e Preshevës. Kushtet e jetës për shqiptarët e luginës janë përkeqësuar në krahasim me 4 vite më parë. Edukimi i mirëfilltë në Luginën e Preshevës po pengohet nga institucionet e Serbisë. Bibliotekat e shkollave janë shumë të varfra”, ka thënë ai.

Kurteshi ka treguar edhe për disa nga kërkesat që ka pasur këshilli kombëtarë për gjendjen e shqiptarëve.

“Në Këshillin kombëtar është kërkuar që të respektohet referendumi i vitit 2002, çështja e luginës të bëhet pjesë e pandashme e dialogut me Serbinë, të informohen

Institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Preshevë, të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve, pasi që ajo paraqet pastrim etnik nga Serbia. Po ashtu është kërkuar pajisje me dokumente të shqiptarëve të luginës dhe është kërkuar rritja e kuotave për studentet në universitetet e Kosovës”, ka theksuar ai.