Deputetët kërkojnë nga Qeveria Kurti që të ketë prioritet sigurimin e vaksinave Anti-COVID

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të ketë prioritet sigurimin e vaksinave Anti-COVID.

Kryetarja e re e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollqaku, është zotuar për bashkëpunim me të gjithë deputetët dhe institucionet përkatëse ne mbledhjen e parë të këtij Komisionit.

Ajo u zotua se edhe planin e punës së Komisionit do ta hartojnë të gjithë bashkë.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se prioritet numër një duhet të jetë sigurimi i vaksinën Anti-Covid.

“Kërkoj angazhimin e komisionit që të bëhemi bashkë në sigurimin e vaksinës. Qytetarët presin sigurimin e vaksinës duke pasur sytë nga Qeveria”, tha ai.

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili foli për masat Anti-COVID të marra nga Qeveria, derisa tha se institucionet duhet dhënë llogari për efektin ekonomik që shkaktojnë masat.

“Çështja e vaksinave është një brengë që kanë qytetarët dhe profesionistët shëndetësor. Por njerëzit janë të mbyllur edhe bizneset gjithashtu, duhet dhënë llogari. Pra të gjitha këto është dashtë me qenë diskutimi i yni dhe të kemi mbledhje edhe më të shpeshta. Ish dashtë me qenë një transparencë më e madhe sa i përket vaksinave. Nëse nuk vaksinohen 70% e popullatës nuk arrihet efekti”, ka deklaruar ai.

Deputeti i AAK-së, infektologu, Shemsedin Dreshaj në adresimin e tij, tha që shpreson që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë, duke shtuar se 20 mijë vaksina janë sa një pikë uji në det.

“Uroj të dalim faqebardhë në menaxhimin e pandemisë. Secili prej nesh brengën kryesore e ka vaksinimin në masë. 20 mijë vaksina janë një pikë ujë në det. Të mos shkojmë më ritëm të ngadalshëm të vaksinimit. Shqipëria vaksinon 20 mijë raste në ditë”, shtoi ai.

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kërkuar bashkëpunim, duke shtuar se në këtë periudhë vetëm kanë parë heshtjen e Qeverisë karshi menaxhimit të pandemisë.

“Nga pozita e ish-ministrit ju kam lutur me dyer të mbyllura të ua shpjegojë çështjen e vaksinimit. Ne mund të bëjmë thirrje të përbashkët ndryshe presim nga ministria të bëjë lidhur me procesin. Ajo çka kemi parë është heshtje e Qeverisë ndaj situatës me Covid-19”, tha Zemaj.