Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ka shqyrtuar sot peticionin e Kryesisë së Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova për moszbatimin e vendimeve të gjykatës për kthimin e punëtorëve në punë, me ç’rast është thënë se KEDS ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut duke mos respektuar vendimin për kthimin në punë të rreth 100 punëtorëve.

Këtë mbledhje të komisionit e kanë bojkotuar përfaqësuesit e KEDS-it, ku deputetët e komisionit kanë thënë se asnjëherë nga KEDS nuk kanë marrë përgjigje në shkresat që i kanë dërguar.Kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova, Hysni Gashi, ka thënë se padrejtësisht punëtorët po mbahen jashtë punës dhe ka kërkuar që ata të kthehen në vendet e punës.

Ai ka treguar rrugën ligjore që kanë ndjekur dhe vendimet që kanë marrë gjykatat. Ai tha se menaxhmenti i KEDS-i e konteston ligjësinë e të gjitha vendimeve si të Inspektoratit të Punës, por edhe të gjykatave dhe kërkon në Gjykatën Kushtetuese ligjshmëri.

Po ashtu, ai bëri të ditur se KEDS për mos respektim të vendimit njëherë është dënuar me 4 mijë euro dhe pastaj me 10 mijë euro. Përfaqësuesja e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Emsale Limani ka thënë se nga KEDS kanë kërkuar përgjigje për largimin e punëtorëve nga puna, derisa ky i fundi ka sqaruar se këta punëtorë kanë qenë të panevojshëm dhe janë larguar.

Limani tha se sipas KEDS-it kjo çështje nuk është e përfunduar, por është në Kushtetuese në pritje të seancës dëgjimore. Nga përfaqësuesja e MZHE-së është kërkuar të dihet se çka kanë bërë si ministri për punëtorët, por ajo tha se nuk kanë kompetencë për arsye se ka skaduar garancia në lidhje me punëtorët.
Ajo tha se Qeveria e Kosovës ka garantuar vetëm për tri vjet të mbahen punëtorët në punë dhe se tash nuk kanë kompetenca pas kalimit të garancisë.

Kryetarja e komisionit Duda Balje ka reaguar ndaj këtyre deklarimeve, duke i thënë përfaqësueses së MZHE-së se nuk e përfaqëson KEDS-in, por ministrinë. Kritika ndaj përfaqësueses së MZHE-së ka pasur edhe nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova, Fehmi Pajaziti.
Përfaqësuesja e MZHE-së Emsale Limani është arsyetuar ndaj këtyre akuzave se po shpjegon vetëm përgjigjet zyrtare që si ministri i kanë marrë dhe nuk po e mbron KEDS-in.

Të gjitha diskutimet i ka quajtur të panevojshme Avokati i Popullit Hilmi Jashari, pasi sipas tij ka vendime të plotfuqishme gjyqësore, të cilat e kanë dhënë fjalën e vet.

Ai kërkoi të respektohet vendimi i së drejtës, pasi sipas tij aktgjykimi i Gjykatës në sistemin juridik është i barasvlershëm me fuqinë e ligjit.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të bëjnë më shumë për punëtorët e larguar.
Pas gjithë diskutimeve komisioni u pajtua të kërkojë nga MZHE-ja që të kërkojë nga KEDS-i zbatimin e vendimit të gjykatës që u jep të drejtë punëtorëve të larguar nga puna.