Gjatë seancës së jashtëzakonshme, me kërkesë të 42 deputetëve, për orët e humbura gjatë grevës tri javore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vlerësuar se MASHT dhe SBASHK, tanimë po punojnë më shumë me inate, dhe kanë kërkuar nga të dyja palët të përafrojnë qëndrimet e tyre.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, e ka quajtur të palogjikshme marrëveshjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, çështje kjo për të cilin tha se nuk është për Kadri Veselin.

Kurteshi ka kërkuar që të dyja palët të përafrojnë qëndrimet, në mënyrë që të mos viktimizohen nxënësit.

Deputetja Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është pajtuar me kërkesën e kryeparlamentarit Kadri Veselit që orët e humbura të kompensohen në fund të vitit shkollor.

Driton Çaushi nga radhët e PSD-së ka tërhequr vërejtjen se në situatën e krijuar janë fëmijët ata që pësojnë më së shumti.

Deputeti Armend Zemaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se qysh sot Komisioni funksional duhet të trajtojë këtë çështje në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Deputetja Valentina Bunjaku nga LDK tha se mirëkupton kërkesat e SBASHK-ut, të mësimdhënësve dhe prindërve.

Deputeti i AKR-së Islam Pacolli ka thënë se në vend se të diskutohet nëse duhet të kompensohen orët e humbura, debati duhet të fokusohet në atë se si të kompensohen ato