Lajmi i fundit

Deputetët e VV-së sërish i ikin Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sërish nuk kanë marrë pjesë në konstituimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat e furnizimit dhe menaxhimit të rezervave shtetërore.

Kjo sërish e ka bërë të pamundur që mbledhja e këtij komisioni të mbahet, pasi në sallë ishin vetëm deputetët e opozitës.

Ky komision është mbledhur edhe në mëngjes duke filluar nga ora 10:00, e që për të njëjtën arsye ka dështuar që mbledhja të mbahet.

Deputetët e pozitës gjatë ditës i kanë thënë kryesuesit të këtij komisioni, Rashit Qalaj, se arsyeja e mosprezencës është pjesëmarrja në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

“E kam takuar deputetin Armend Muja, më tha se jam duke shkuar në Komision për Buxhet e më tha se do të lajmërohem, më pas nuk është lajmëruar fare. Nëse nuk formohet në ora 15:00 do të kemi takim nesër, pasnesër”, deklaroi Qalaj.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se deputetët e VV-së nuk kanë ardhur në mbledhje pasi “po fshihet diçka dhe se po kanë frikë nga një hetim për rezervat shtetërore”.