Deputetët e PDK’së e mbrojnë Presidentin Thaçi për çështjen e deportimit të gylenistëve

Komisioni Hetimor parlamentar për Gylenistët ka nisur mbledhjen ku do të shqyrtohet materiali i dërguar nga institucionet për gylenistët dhe pastaj fillon intervistomi i, fillimisht kryeshefes së Inspektoratit Policor.

Mbledhja e Komisionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për hetimin e deportimit të gjashtë shtetasve turq po vazhdon me polemika të shumta ndërmjet kryetarit të këtij Komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, dhe anëtarit të këtij Komisioni nga PDK-ja, Hajdar Beqa, raporton Gazeta Express.

Në këto polemika u përfshi edhe deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, e cila është anëtare e këtij komisioni.

Ajo i ka kërkuar kryetarit Xhelal Sveçla që ta demantojë deklaratën e tij dhënë për T7, ku ka thënë se nëse Presidenti Hashim Thaçi, por edhe të tjerët që do të thirren, nuk vijnë në intervistim, ata do të sillen me dhunë, me vendim të Gjykatës.

“Nuk kemi pse me luftë të fortin, përderisa nuk i kemi kërku ende as kryeministrit e as presidentit me ardhë në Komision. Nëse duam të kemi produkt e mos të mblidhemi kot. Duhet ta demantoni deklaratën sepse nuk guxojmë të flasim a vijnë apo jo, kur s’e dimë ende a i keni dërgu ftesë apo jo:, i ka thënë Ganimete Musliu, Xhelal Sveçlës, raporton Gazeta Express.

Kurse, Sveçla pas kësaj deklarate, i tha Musliut se ligji e përcakton se nëse personat që thirren që të intervistohen nga Komisioni, nuk vijnë, atëherë ligji parasheh masa për ta.

“Nuk paragjykoj a vjen apo nuk vjen Thaçi, po e kam thënë që me ligj, që kur nuk vije, do të merren ato masa”, tha Sveçla.

Edhe Hajdar Beqa i PDK’së i ka kërkoi deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje që të kërkojë falje pas deklaratave se presidenti Hashim Thaçi do të sillet me dhunë për të dëshmuar në këtë Komision.

Ndërsa Sveçla i ka thënë se presidenti Thaçi nuk është i Partisë Demokratike.

“Nëse Thaçi nuk vjen e sjell Gjykata me vendim”, ka shtuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje./GazetaExpress/

Deputetët e PDK’së e mbrojnë Presidentin Thaçi për çështjen e deportimit të gylenistëve