Deputetët e PDK-së lëshojnë seancën: Vlera e koeficientit e rrit mjerimin në vendin tonë

Partia Demokratike e Kosovës, sot ka kërkuar nga qeveria që të rishqyrtojë vlerën e koeficientit, për të cilin kanë thënë që është koeficient të që e rrit mjerimin. Në shenjë revolte, deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca plenare.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë janë të zhgënjyer me vlerën e koeficientin të cilën e ka bërë publike sot qeveria e Kosovës.

“Ky është një koeficient i mjerimit, ky është një koeficient që e thellon varfërinë në vendin tonë, ky është një koeficient që është mbajtur fshehur nga kryeministri i vendit për mëse 82 mijë zyrtarë publik, ky është një koeficient i cili i demotivion të gjithë ata të rinj e të reja të cilët duan të jenë pjesë e administratës shtetërore, qofshin pjesë e policisë, qofshin ushtrisë. Prandaj mendoj që vazhdim sot i kësaj seance është i pakuptimtë. Si grup parlamentar i PDK-së kërkojmë nga qeveria e Kosovës ta rishqyrtojnë edhe njëherë këtë çështje sepse është definitivisht koeficient që e rrit mjerimin në vendin tonë…Prandaj si grup parlamentar i PDK-së në shenjë revolte për caktimin e këtij koeficienti sot nuk do të vazhdomë të qëndrojmë në këtë seancë”, ka thënë Tahiri.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Nuk do të merrni pjesë fizikisht fare apo?… Çka mendoni për mëditjet tuaja për ditën e sotme”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetët e PDK-së kanë thënë se i refuzojnë mëditjet për seancën e sotme.

“Absolutisht i refuzojmë”, është përgjigjur Tahiri.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave për vitin 2023 është 105 euro.