Deputetët e opozitës që po i bojkotojnë seancat, i marrin mëditjet

Për një muaj (4 seanca) deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, marrin 297 euro mëditje për pjesëmarrje në seancë parlamentare.

Jo rrallë herë deputetët e opozitës po i braktisin seancat e Kuvendit. Ata po e shohin bojkotin se mjet opozitar për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Seancat e fundit të Kuvendit, përveç me debat të ashpër mes pozitës dhe opozitës janë karakterizuar edhe me lëshim të sallës nga këta të fundit, shkruan lajmi.net.

Vetëvendosje dhe LDK, rëndom nuk po i votojnë projektligjet e sjella në Kuvend.

E të njëjtëve siç duket po u konvenon edhe financiarisht mos prezenca e tyre në sallë.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, për lajmi.net thotë se çështja e kompensimit të mëditjeve është e rregulluar me vendim të Kryesisë.

Deputetët pa dallim pozite ose opozite i marrin mëditjet e tyre.

“Deputetët, pa dallim pozite opozite, te cilët regjistrohen në fletët për prezencë kompensohen me mëditje”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

“Kompensimet janë te rregulluara me Vendim te Kryesisë”, shton tutje ai.

Sipas një përllogaritje del se deputetët për një muaj (4 seanca) marrin 297 mëditje euro për pjesëmarrje në seancë parlamentare.

Kujtojmë, se tash e një kohë partitë opozitare po konsiderojnë se koalicioni qeveritar e ka humbur shumicën në Kuvend dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Lidhur me këtë, Lista Serbe ka paralajmëruar një iniciativë për mocion mosbesimi.

LDK gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se do ta përkrahte një mocion të tillë.