Deputetët e Vetëvendosjes që janë njëkohësisht ministra, vazhdojnë t’i mbajnë postet ekzekutive edhe pas konstituimit të Kuvendit, gjë që bie ndesh me Ligjin për Qeverinë e me vendimin e Gjykatës Supreme. Përjashtim ka bërë Albulena Haxhiu, që ka lënë detyrat ekzekutive pas zgjedhjes nënkryetare të Kuvendit
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që ishin anëtarë qeverie në “Kurti 2” vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre ekzekutive edhe pas shpalljes së Kuvendit si i konstituuar nga kryeparlamentari Dimal Basha.
Konstituimin e Kuvendit Vetëvendosje e ka vlerësuar në përputhje me Kushtetutën, ndonëse 6 ditë pas kryeministri dhe disa nga ministrat në detyrë vazhdojnë t’i mbajnë të dy funksionet njëkohësisht, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
Sipas njohësit të rrethanave politike, Afrim Kasolli, Vetëvendosje ka rënë në kontradiktë me veprimet dhe deklarimet e veta para se të konstituohej Kuvendi.
“Në rrafshin juridik Gjykata Supreme para një kohe e ka dhënë verdiktin e saj, e ka dhënë gjykimin e saj që e konsideron konflikt interesi dhe i cili nuk është i pajtueshëm me Kushtetutën dhe sistemin ligjor në Kosovë, mbajtja në të njëjtën kohe e dy pozitave si e deputetit ashtu e atyre që kanë pozita ekzekutive”, ka thënë Kasolli.
Më 16 korrik Gjykata Supreme e vlerësoi të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë. /ktv







