Deputetët britanikë vizitojnë Kuvendin e Kosovës në Ditën e Pavarësisë

Grupi i Miqësisë Kosovë – Mbretëri e Bashkuar në Kuvendin e Kosovës ka pritur sot në takim deputetët britanikë, Martin Vickers dhe John Grogan, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin Britanik.

Ata po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës së bashku me një grup afaristësh shqiptaro-britanikë.

Në emër të Grupit të Miqësisë në Kuvendin e Kosovës, deputetja Vjosa Osmani, falënderoi parlamentarët britanikë për vizitën e tyre në Kosovë dhe bashkimin në kremten e përvjetorit të pavarësisë.

Ajo tha se Britania e Madhe vazhdon të mbetet një prej shteteve më të mëdha mbështetëse të Kosovës në rrugën e zhvillimit të saj dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

“Kosova ka shumë miq në Britaninë e madhe dhe mbështetja juaj për vendin tonë vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme. Është jetike për ne që të mbesim në kontakt me diasporën tonë në Britani”, tha Osmani.

Ndërkaq, deputeti i Parlamentit të Britanisë së Madhe, Martin Vickers, tha se ndihet i nderuar që gjendet në Kosovë në përvjetorin e saj të pavarësisë duke konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij për Kosovën.

Ai tha se procesi i largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk e zbeh aspak këtë mbështetje.

Parlamentarët e të dyja vendeve u pajtuan që të intensifikojnë takimet në të ardhmen, në funksion të një bashkëpunimi më intensiv midis dy institucioneve legjislative.