Banorët e Topliqanit po përballen çdo ditë me një ndotje të rëndë mjedisore për shkak të një deponie të egër që është krijuar në afërsi të fshatit. Mbeturinat po grumbullohen në mënyrë të pakontrolluar, pa asnjë kujdes nga komuna e Lipjanit, ndërsa zyrtarët komunalë, përfshirë kryetarin Imri Ahmeti, po japin deklarata të rreme se gjithçka është nën kontroll. Kështu thuhet në reagimin e PDK-së, dega në Lipjan.
E vërteta është krejt ndryshe. Deponia në Topliqan jo vetëm që nuk është larguar, por është duke u rritur dita-ditës. Plehra, mbetje të ndërtimit, plastika, mbetje organike dhe ndotje nga djegia e tyre po shkaktojnë dëme të mëdha për tokën, ajrin dhe shëndetin e banorëve lokalë.
Përkundër premtimeve të shumta gjatë fushatave zgjedhore dhe deklaratave të vazhdueshme në media, Imri Ahmeti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz për të zgjidhur këtë problem. Në vend se të përballet me realitetin, ai po mundohet ta fshehë atë me fjalë boshe.
Qytetarët e Topliqanit meritojnë më shumë se kaq. Ata kanë të drejtë të jetojnë në një ambient të pastër, pa frikë nga ndotja dhe sëmundjet. Është koha që institucionet të marrin përgjegjësi dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet më shumë sesa deklaratat e zbrazëta të pushtetarëve.
Topliqani nuk është kosh plehrash – është vendbanim, është shtëpia jonë!, thuhet në fund të reagimit.







