Departamenti amerikan i Shtetit demanton Kurtin: S’ka marrëveshje sekrete, dialogu të çojë në njohjen e ndërsjellë

Departamenti Amerikan i Shtetit sapo ka lëshuar një deklaratë të përbashkët të të dërguarit special të presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë me popullin e Kosovës, shkruan Ballkani.info.

Aty demantohet kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili dje tha se ekziston një marrëveshje e fshehtë për ndarjen e Kosovës.

“Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Deklarata e Plotë:

Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

Për më tepër, ne vazhdojmë t’i nxisim liderët e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe duke penguar rritjen ekonomike.

Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradë midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë.