Denoncoi keqpërdorime në sistemin e drejtësisë, humb punën ish-kryesindikalisti

Ushtroi një kallëzim penal. Thotë që pozita brenda sistemit të drejtësisë po mbahet jashtëligjshëm. Krejt çka mori Blerim Brahimi, ish-kryesindikalist i punonjësve të Gjykatës në Prishtinë ishte distancimi i kolegëve ndaj tij e humbja e vendit të punës.

Blerim Brahimi ka ngritur kallëzim penal në maj të vitit 2021 ndaj Bislim Gashit i cili qëndron në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Administratës në SKGJK që nga viti 2019 dhe Shaban Gërxhaliut në pozitën e ushtruesit të detyrës së Administratorit të Gjykatës Themelore.

Brahimi pas kallëzimit penal u shkarkua nga kryetari i sindikatës prej pozitës që mbante, e pastaj iu pamundësua konkurrimi për punë nga KGJK- për shkak të ngritjes së kallëzimit penal të ushtruar edhe pse i njëjti i ka plotësuar kushtet për pozitën përkatëse.

Bislim Gashi dhe Shaban Gërxhaliu qëndrojnë në këto pozita ende edhe pse një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin.

Sipas nenit 30 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës potencohet se, “Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj”.

Në kallëzimin penal qe Brahimi e ka ngritur thuhet se edhe pse Bislim Gashi dhe Shaban Gërxhaliu e kanë tejkaluar mandatin e ushtruesit të detyrës, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, ka qenë në dijeni, pasi ai është zyrtari kryesor administrativ.

“Z.Shkëlzen Maliqi ka qenë në dijeni pasi që ka kompetencë sepse është zyrtari kryesor administrativ”.

“Meqenëse janë mbajtur pozita me Ushtrues Detyre për më shumë se tre muaj ekziston dyshim i arsyeshëm se Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, U.D. Drejtori i Administratës n SKGIK-së z. Bislim Gashit, UD, Departamenti i Administratës së Përgjithshme në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë kryer në bashkëkryerje veprat penale, “Cenim i të drejtës nga marrëdhënia e punës” e paraparë me nenin 218.

“Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 414”, thuhet në kallëzimin penal të ngritur nga Brahimi.

Sipas ligjit të Kosovës të nenit 378, një gjë e tillë konsiderohet si vepër penale, për moslajmërimin e veprave penale.

“Kushdo që është në dijeni për identitetin e kryesit të një apo më shumë të veprave penale në vijim dhe nuk e lajmëron faktin e tillë, dënohet më gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”.

Blerim Brahimi ka thënë për Insajderin se menjëherë pas ngritjes së kallëzimit penal ka marrë informacion që është shkarkuar nga pozita e Kryetarit të Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Pas ngritjes të këtij kallëzimi ndaj meje nxjerret një komunikatë për shkarkim nga Sindikata e Pavarur e Juridikaturës Kosovës për shkarkim nga pozita e Kryetarit të Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Brahimi.

Ai ka shtuar se Prokuroria e Kosovës nuk ka marrë ende asnjë veprim për asnjërin rast dhe se të dy personat në fjalë ende ushtrojnë pozitën e Ushtruesit të Detyrës.

“Juridikisht nënkupton ata të cilët tash po udhëheqin këtë organizatë janë duke vepruar kundërligjshëm veprim i cili përbën dhe vepër penale ku dhe ndaj SPJK kam ushtruar kallëzim me që e e parasheh Kodi Penal i Kosovës, ende Prokuroria e Kosovës nuk ka marr asnjë veprim për asnjërin rast edhe pse të ndërlidhur, dhe po ashtu me hapjen e konkurist nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës më pamundësoj të kandidoj edhe pse e plotësojsha kushtet për pozitën përkatëse po ashtu dhe ndaj komisionit për përzgjedhje kam ngritur kallëzim penal dhe ende në pritje, personat në fjalë ende ushtrojnë detyrat si u.d”. ka thënë Blerim Brahimi.

Në komunikatën që Sindikata e Pavarur e Juridikaturës së Kosovës i ka dërguar Blerim Brahimit me lajmin që është shkarkuar nga pozita e tij, thuhet se kallëzimi i tij penal nuk mund të trajtohet si kallëzim penal i parashtruar nga ai në cilësinë e kryetarit të Sindikatës të Gjykatës Themelore në Prishtinë por si kallëzim personal i tij.

“Si rezultat i mosrespektimit të akteve të Sindikatës, keqpërdorimit të emrit dhe pozitës në Sindikatë, sot kryesia dhe anëtarësia e Sindikatës e Gjykatës Themelore në Prishtinë me shumicë votash ka marrë vendim për shkarkimin e Z. Blerim Brahimi nga pozita e kryetarit të shoqatës së Sindikatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.