Dënohet sërish me burg Gruevski, konfiskohet selia e VMRO-DPMNE

Gjykata Penale e Shkupit vendosi që të konfiskojë selinë e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe 30 selitë e tjera gjithandej Maqedonisë së Veriut për shkak të ndërtimit të paligjshëm.

Gjithashtu për ish-kryetarin e saj, Nikolla Gruevski janë dhënë 6 vite të tjera burg në mungesë për keqpërdorim të pozitës në parti për të ndërtuar objektet e paligjshme.

Bashkë me këtë dënim, Gruevski në total është dënuar me 25 vite burg.

Shkelja është bërë duke angazhuar kompani ndërtimi që në atë periudhë kishte 70 për qind të të ardhurave nga tenderë shtetërorë, që është në kundërshtim me ligji për financimin e partive politike.

Kryetari aktual i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski e ka quajtur këtë vendim gjyqësorit si politik dhe të ndikuar nga Qeveria aktuale dhe ka vlerësuar se ideja dhe fuqia e partisë së tij nuk mund të zbehet duke i marrë selitë.