Një bandë e maskuar që e kishte kryer një sulm në masën e gjerë, është dënuar me mbi 200 vjet burgim nga një gjykatë në Britani të Madhe. Ata i kishin sulmuar disa persona me hanxharë dhe shufra të hekurit, me qëllim që t’ua rrëmbejnë të hollat dhe gjësendet e vlefshme.
Kjo bandë përbëhej nga 14 anëtarë dhe rasti i sulmit kishte ndodhur më 26 prill të vitit 2016. Të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar me gazmaska, ata kishin hyrë me dhunë në tri shtëpi në rajonin e Kentit rreth orës 11:30 para mesnatës. Më pas, ata i kishin kërcënuar banorët me pushkë, pistoleta dhe shkopinj bejsbolli gjatë një sulmi që kishte zgjatur shumë, ku katër viktimave ua kishin lidhur duart me kabllo të rrymës. Ata kishin gjetur një shumë të hollash prej 2,500 funtesh, por sërish i kishin kërcënuar viktimat, sepse besonin që ata kishin shumë më tepër të holla.
Përveç kësaj, ata e kishin goditur me pushkë një baba të shtatë fëmijëve dhe pasi ishte rrëzuar në tokë, e kishin shqelmuar dhe rrahur me shkop bejsbolli. Gjykata i dënoi ata me dënime të ndryshme, të cilat fillojnë nga dënimi me 9 vjet burgim deri te dënimi me 21 vjet burgim. Shumica e anëtarëve të bandës i përkisnin moshës rinore dhe numri më i madh i tyre ishin njerëz me ngjyrë.
Pas mbylljes së këtij rasti tronditës, hetuesi James Derhan deklaroi: “Niveli i dhunës së përdorur tregon se sulmuesit paraqesin një kërcënim serioz për shoqërinë dhe vendimi për burgosje relativisht të gjatë është një vendim i duhur. Dua t’i falenderoj të gjitha viktimat për përkrahjen që kanë dhënë në këtë proces. Kjo na ka ndihmuar që t’i sigurojmë dëshmitë dhe që të jepet dënimi i merituar për sulmuesit”, shkruan “Daily Mail”,







