Dënohet me burgim drejtori që i lëshoj diplomën nxënësit

Ish-drejtori i shkollës së mesme “S. Mullabazi – Mici” në Rahovec, Ali Hoxha, është dënuar me 10 muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Gjakovë, pasi që i kishte lëshuar diplomën një nxënësi i cili nuk e kishte mbaruar klasën e 12-të.

Ky dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk në periudhë prej dy vitesh nuk do të kryej vepër tjeter penale. Aktgjykimi ndaj tij është shpallur në seancën fillestare të së enjtes, pasi ai paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzat që i viheshin në barrë, transmeton ballkani.info.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Agron Matjani, i cili ka kërkuar nga gjykata që me rastin e shpalljes së aktgjykimit, t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese, gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, meqenëse i akuzuari ka pranuar fajësinë në mënyrë të vullnetshme.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 12 shtator 2018.

Sipas aktakuzës, më 30 maj 2017, përderisa ushtronte detyrën e drejtorit të shkollës së mesme “S.Mullaabazi-Mici” në Rahovec, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i njëjti i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.