Pejë- Gjykata Themelore në Pejë, edhe në rigjykim, e ka shpallur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti për vrasjen e tani të ndjerit M.Z., duke e dënuar atë me 20 vjet e 6 muaj burgim.
Shpalljen e këtij aktgjykimi, e bëri të martën kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Haliti pasi iu ricilësua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”, u dënua me 20 vjet burgim. Kurse, për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 vit burgim.
Ndaj tij, Gjykata ka shqiptuar dënim unik me 20 vjet e 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 6 marsi 2017.
Të akuzuarit Haliti do t’i konfiskohet arma me të cilën është kryer vepra penale.
Të njëjtin, gjykata e ka obliguar për shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 1 mijë euro, si dhe 50 euro për taksat e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
E dëmtuara Mirjeta Zekaj, lidhur me kërkesën për dëmshpërblim, u udhëzua në kontest të rregullt civil.
Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim.
Kreshnik Haliti akuzohej se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurosh e kishte vrarë M.Z.







