Dënohet me 10 vjet burg për tentim vrasjen në lagjen “Marigona”

I akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Faton Fetiu, është dënuar me 10 vjet burgim

Ai është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për rastin që kishte ndodhur më 13 shkurt 2018, në lagjen “Marigona”, e ku akuzohej se kishte tentuar të provonte nga jeta gjinekologun Premtim Gojani, si dhe bashkëshorten e tij, Afërdita Gojani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, i akuzuari Fetiu për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë është dënuar me nëntë vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, është dënuar me dy vjet burg.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej 10 vjetësh burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Atij i është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa i janë konfiskuar armët, me të cilat i ka kryer veprat penale.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 10 maj, i akuzuari Fetiu ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë në tentativë, kurse e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës të përpiluar me 30 prill 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, rreth orës 07:38, në rrugën “Montana” të lagjes “Marigona”, në Komunën e Graçanicës, i pandehuri Faton Fetiu, me dashje, nga hakmarrja e paskrupullt ka tentuar t’i privojë nga jeta Premtim e Afërdita Gojanin.

Aktakuza thotë se me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e një personi tjetër, Donika Gojanit.

Sipas aktakuzës, e gjithë kjo për shkak të një borxhi të pretenduar nga i pandehuri, që gjoja ia kishte pasur tani i ndjeri Nazmi Gojani, babai i Premtim Gojanit.

Akti akuzues, thotë se derisa Premtim Gojani, së bashku me vajzën e tij, Donika Gojani, ishin duke dal nga shtëpia për të shkuar në punë, para tyre i pandehuri Faton Fetiu ka dal dhe nga xhepi ka nxjerrë një elektroshok për ta sulmuar Premtim Gojanin, por pastaj në mes të tyre ka ndërhyrë vajza e Gojanit, për ta mbrojtur babanë e saj.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në drejtim të Premtim Gojanit, të cilin e ka qëlluar në trup në anën e djathtë në brinjë, i njëjti ishte rrëzuar në tokë dhe vajza e tij Donika Gojani, për ta mbrojtur është shtrirë mbi trupin e tij dhe e ka përgjëruar të pandehurin që të mos qëllojë me armë.

Më pas, thuhet se ka dal nga dera e shtëpisë bashkëshortja e të dëmtuarit, Afërdita Gojani, dhe ka thënë “Ndal, çka bëre o Faton”, kurse i pandehuri i është drejtuar duke i thënë “a ju kam thënë se kam me ju mbyt të gjithëve” dhe më pas ka shkrepur revolen dy herë në drejtim të Afërdita Gojanit, por nuk e ka qëlluar, e ka vazhduar duke u afruar te Premtim Gojani, e duke i thënë a je hala gjallë e duke e sharë, e më pas e ka goditur të njëjtin në anën e majtë nën sqetull afër zemrës, më pas në kokë.

Aktakuza, gjithashtu thotë se derisa e dëmtuara Donika Gojani, ka qenë e shtrirë mbi trupin e të dëmtuarit për ta mbrojtur, të njëjtën me predhën e fishekut të armës, i pandehuri e ka qëlluar në shpinën e dorës së majtë.

Aktakuza, tutje thotë se Premtim Gojanit i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, kurse vajzës së tij lëndime të lehta.

Sipas aktakuzës, Fetiu ka mbajtur në pronësi një granatë dore, një detonator të granatës, një pistoletë me mbishkrimin “Berreta”, një elektroshok, si dhe gjashtë gëzhoja fisheku.

Prokuroria të akuzuarit e ngarkon me veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë”, dhe “mbajtja në pronësi, kontroll se posedim të paautorizuar të armëve”