Dënimi i Gucatit e Haradinajt nga Specialja, reagon Sami Lushtaku

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka thënë se shpreson që vendimi i sotëm i shkallës së parë të Gjykatë Speciale që dënoi me nga 4 vjet e gjysmë burg Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, të anulohet nga shkalla e dytë e Gjykatës.

“Po shpresoj hala që shkalla e dytë do ta anulojë vendimin e parë të kësaj gjykate. Kjo është një absurd”, ka thënë Lushtaku në T7.

Ai ka thënë se një vendim i tillë është për t’u shqetësuar, duke thënë se një dënim kaq i lartë s’është shqiptuar as për serbët që kanë kryer krime lufte në Kosovë e që kanë dhunuar gra e vajza shqiptare.

“Kjo është vërtetë me u shqetësu. As serbët që kanë bërë krime që kanë dhunu gra e vajza tona në Kosovë, nuk kemi kësi dënimesh kaq të mëdha. Ndërsa për dy krerët e shoqatave tona, për shkak të rrjedhës së informacioneve dënohen”, ka thënë tutje Sami Lushtaku.

“Në mënyrë absolute po. Më së pakti e kam pritë dënimin e tyre, sepse nuk e di me çfarë fakte ata janë dënuar nga Gjykata e Hagës”, ka shtuar tutje ai.

I pyetur për reagimin e krerëve të OVL-së gjatë momentit të shqiptimi të dënimit, Lushtaku ka thënë se Gucati e Haradinaj kanë qenë të përgatitur për një gjë të tillë, meqë gjatë luftës ata ishin përgatitur edhe për ta dhënë jetën e tyre.

“E di që ata janë përgatit edhe për këtë pjesë. Janë përgatit gjatë luftës që me dhanë edhe jetën e tyre dhe une mendoj që ata janë pjekur, janë burra”, ka thënë Lushtaku.