Dëmtuan kioskën elektronike të 2000 eurove, për t’i vjedhë 33 euro

Policia në Mitrovicë identifikoi katër të mitur që dëmtuan kioskën ekektronike në vlerë të 2000 eurosh për të vjedhur 33 euro.

“Me datën 18.10.2022, nga ana e zyrtarëve të Gjendjes Civile të Komunës së Mitrovicës ishte raportuar një rast i dëmtimit të një kioske elektronike(e-kioska) në Fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës nga persona të panjohur. E-kioka ishte vendosur për pajisjen e qytetarëve me dokumente të gjendjes civile ndërsa sipas ankuesit nga e-kioska ishin dëmtuar pajisjet elektronike të saj dhe ishin vjedhur para në shumë prej 33 euro, ndërsa vlera e përgjithshme e dëmit të kioskës elektronike ishte rreth 2000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas një pune intensive hetimore nga ana e hetueseve të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, sot është arritur që të identifikohen fillimisht dy persona të dyshuar, të cilët janë shoqëruar në Stacionin Policor ku të njëjtit kishin pranuar se në bashkëkryerje edhe me dy persona tjerë kishin dëmtuar dhe kishin marrë shumen e parave që gjendej në aparat.

Në lidhje me këtë rast është kontaktuar prokurori i cili ka udhëzuar që katër personat e dyshuar të moshës së mitur të intervistoheshin në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe të zyrtarit nga Qendra për Punë Sociale.

Pas intervsitimit dhe procedurave tjera janë iniciuar rastet “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Vjedhje e rëndë”, ndërsa personat janë liruar në procedurë të rregullt.