BE

Demhasaj: Dialogu nuk është për BE-në por për Kosovën dhe Serbinë

Analisti politik, Arton Demhasaj, tha se dialogu në mes të Kosovës nuk është për BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë por për Kosovën dhe Serbinë.

Në emisionin debatues “Këndi i Debatit”, analisti Arton Demhasaj ka thënë se dialogu bëhet me i hap rrugë Kosovës për integrim në BE derisa shtoi se status-quo-ja i konvenon vetëm Serbisë.

“Ne duhet ta kuptojmë që dialogu nuk është për BE-në as për partnerët ndërkombëtarë por Kosovën dhe Serbinë dhe deklaratat e tilla nga kryeministri që deklaratat e kanë dëmtuar tryezën e dialogut janë të gabueshme, nuk e kanë dëmtua tryezën e dialogut por Kosovën. Edhe presidentja ditë më herët deklaroi se në rast se merret vendim i BE-së për liberalizim të vizave do ta bënte të vdekur procesin e dialogut, janë të pamatura”, u shpreh Demhasaj.

Sipas tij, dialogu i ndërmjetësuar nga BE është bërë për t’i hapur rrugë Kosovës drejt integrimit evropian.

“Ne duhet ta kuptojmë fillimisht që dialogu që e ndërmjetëson BE-ja me partnerët tjerë ndërkombëtarë bëhet për Kosovën që Kosovës me iu hapë rruga drejt integrimeve. Serbia e ka të hapur rrugën në një masë të caktuar që ndoshta të gjitha mundet me i përfundua por kur të vjen çështja e hyrjes në BE nuk mundet me hy për shkak të Kosovës. Por megjithatë ‘status-quo-ja’ i konvenon Serbisë sepse Serbia deri tash duke e mbajt Kosovën në proces të dialogut po negocion dhe po ecë tutje”, tha Demhasaj.

Ai tha se BE është dashur të bëjë më shumë presion tek palët negociuese në mënyrë që marrëveshjet e arritura t’i pranojnë dhe të vazhdojnë t’iu zbatojnë.

“BE nuk ka dështuar por duke i parë palët që nuk janë pranuar, edhe aty është dashtë me e imponu BE. Me dhënë afate të caktuara. Por prapë një sekuencim është pranuar në Ohër sepse thotë që Kosova dhe Serbia e nënshkruajnë marrëveshjen për personat e zhdukur, kjo është pranu, për Asociacionin këtu kemi mbet tek kjo pika e dytë. Këtu derisa Qeveria humb kohë duke thënë se duam sekuencim, BE ka marrë masa ndëshkuese e të cilat po e dëmtojnë Kosovën dhe dialogu është i bllokuar, prandaj edhe janë vendos masa ndaj Kosovës”, u shpreh Demhasaj.

Ai tha se në çdo qendër perëndimorë për këtë ngecje fajësohet kryeministri Albin Kurti.

“Në çdo qendër të vendosjes perëndimore dhe evropiane fajësohet kryeministri Kurti, prandaj janë vendos masa ndaj Kosovës pse nuk po themelohet Asociaiocni, është kryeministri Kurti, Prandaj këtu ka ngec dialogu dhe në takimin e 14 shtatorit përveç takimeve veç e veç tek takimi trepalësh prapë mendoj që BE duhet ta bëjë një plan të sekuencimit përndryshe kemi me humb kohë prapë”, ka deklaruar ai.