Sulmuesi francez, Ousmane Dembele i ka kërkuar bordit drejtues të Barcelonës ta lejojnë largimin e tij në janar, teksa shumë klube të Premier Leagues interesohen për shërbimet e ish anësorit të Borussia Dortmundit.

“Goal” shkruan se largimi i Dembeles mund të lehtësojë rikthimin në “Camp Nou” të yllit brazilian, Neymar.

21 vjeçari ka dështuar të përshtatet te Barcelona pas transferimit që i kushtoi “blaugranave” 105 milionë euro, ndërsa mësohet se kampionët e Spanjës janë të hapur për ta lejuar shitjen e tij.

Skuadra e Ernesto Valverdes planifikon të përfshijë Dembelen në marrëveshjen që do të rikthente Neymarin, me të dyja palët të interesuara që ky operacion i transferimit të ndodh.

Raportohet se janë mbajtur takime paraprake, me Barcelonën që pas Vitit të Ri pritet të ofrojë Dembelen dhe një shumë parash, për të arritur deri te Neymar.

Gjithashtu edhe klubet e Premier Leagues e kanë ruajtur interesimin e tyre, me Liverpoolin që spekulohet se qëndron në “pole position” për kampionin e botës me Francën.

Dembele është kritikuar edhe për sjelljen e tij, gjersa Valverde nuk e lejoi të stërvitet me skuadrën para dy javësh për shkak se francezi kishte luajtur lojëra kompjuterike tërë natën.

Profesionalizmi dhe konsumimi i ushqimeve të shpejta gjithashtu janë vënë në pikëpyetje, ndërsa Dembele kishte hedhur pjatën e përgatitur me peshk të freskët nga kuzhinieri i tij.

Lëndimet kanë qenë një problem tjetër që e kanë shoqëruar Dembelen në aventurën e tij te Barcelona, gjersa bashkëlojtarët i kanë ofruar mbështetjen e tyre futbollistit që i siguroi katalanasve një pikë në takimin e fundjavës me Atletico Madridin.

Megjithatë duket se kjo nuk ka mjaftuar për Dembelen që të mos kërkojë largimin nga Barcelona, teksa numëron vetëm 7 paraqitje si startues këtë sezon në La Liga.