Demalijaj: AAK-ja është e gatshme për të garuar në zgjedhje

Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot vendimin zyrtar lidhur me çështjen e votës së Etem Arifit, e cila i jep dritë jeshile rrëzimit të Qeverisë Hoti dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

Kushtetuesja ka konstatuar se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvend.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, ka thënë që kjo parti pajtohen me çfarëdolloj vendimi i cili vjen nga Kushtetuesja.

“Ne jemi pajtuar qysh në fillim, sepse është edhe fakt i mirë, që të gjitha subjektet politike në vend i kanë përfillur aktgjykimet dhe duhet të vazhdojnë kështu. Nuk ka qenë e pritshme, as për subjektin tonë politik, por as për vetë ata që i janë drejtuar GJK-së për këtë kërkesë. Por nëse gjykata ka vendosur kështu ne duhet të pajtohemi”.

“AAK-ja edhe më herët ka deklaruar që do të pranojmë çdo aktgjykim jo vetëm të Gjykatës Kushtetutese, por edhe të secilës gjykatë në Kosovë dhe do të jemi pjesë e procesit zgjedhor kurdo që të vendoset nga u.d e presidentes Osmani”.