Deliu: Shefja e deputetëve të VV’së e pranoi hapur që e kanë shantazhuar LDK-në

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar deklaratave të Mimoza Kusari-Lilës, se VV-ja i ka kërkuar LDK-së 15 nënshkrime për votimin e presidentit në këmbim të tërheqjes së Ligjit për Zgjedhje.

Këtë veprim të VV-së, Deliu-Kodra e ka cilësuar si shantazhim të LDK-së.

“Shefja në detyrë e Grupit Parlametar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, sapo konfirmoi para mediave se kanë shantazhuar LDK-në me votimin e Vjosa Osmanit për presidente në këmbim të tërheqjes së Ligjit për Zgjedhje!”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Shefja në detyrë e Grupit Parlametar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, sapo konfirmoi para mediave se kanë shantazhuar LDK-në me votimin e Vjosa Osmanit për presidente në këmbim të tërheqjes së Ligjit për Zgjedhje!

Kusari-Lila sapo e dëshmoi publikisht atë që prej dje po e themi se Vetëvendosje po e përdor Ligjin për Zgjedhje dhe ndjeshmërinë ndaj mërgatës si shantazh politik ndaj opozitës, e në rastin e veçantë ndaj LDK-së. Ligji Për Zgjedhje nuk i takon pazareve për asnjë post politik. Ai nuk guxon as mund të procedohet pa një debat të gjerë politik e publik dhe pa një harmonizim mes gjithë grupeve të interesit. Ligji për Zgjedhje kërkon diskutim multisektorial dhe multidimensional dhe nuk është ekskluzivitet i një subjekti të vetëm. Mirëpo, ajo që tash dëshmoi para mediave shefja në detyrë e Grupit Parlametar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, shpërfaq më së miri natyrën tregtare të kandidatës për presidente, Vjosa Osmanit, për të mos zgjedhur mjet për të arritur, pameritueshëm, në postin e aspiruar. Kjo, vetëm figurë përfaqësuse nuk pasqyron!