Deliu – Kodra: Qeveria Kurti para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilaz Kodrës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu – Kodra ka kujtuar Ilaz Kodrën në 23 vjetorin e rënies heroike të tij. Deliu – Kodra tha po ashtu se menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten.

Deliu – Kodra në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se si familjarë të komandantit Ilaz Kodra, 30 prilli për ta është ditë përkujtimi dhe krenarie, përcjell Demokracia.com.

“Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore”, ka shkruar Deliu – Kodra.

Postimi i plotë:

Si familjarë të komandantit Ilaz Kodra, 30 prilli për ne është ditë përkujtimi dhe krenarie. I tillë ishte edhe sot. Në emër të familjes, i falënderoj të gjithë të afërmit dhe miqtë që na qëndruan pranë dhe ndan me ne dhimbjen dhe kujtimet për të.

Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore.

Por, mbi të, përveç dhimbjes që ndjen vazhdimisht për humbjen e njeriut më të dashur, sot rëndojnë edhe padrejtësitë e pushtetit të kryeministrit Kurti.

E ndjeva për obligim ta them këtë, pasi që unë jam e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që jam pjesë aktive e politikës.

Familja Kodra nga Prekazi gjithmonë ka qenë e përndjekur, gjithmonë e persekutuar, gjithmonë e diskriminuar, por asnjëherë nuk është dorëzuar!

Kimetja, sot është qytetare e këtij vendi dhe një nënë që i ka rritur vajzat e saj dhe të Ilazit me punë dhe përkushtim të pandalshëm.

Nderime përjetë komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!