Deliu-Kodra: PDK-ja nuk kontriboi në provokimin e kësaj krize për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Në seancën e së mërkurës, për mocionin e mosbesimit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është shkarkuar Qeveria Kurti, e cila si partner qeverisës kishte LDK-në, ku këtë mocion e kanë përkrahur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se mocioni i votëbesimit erdhi në Kuvend si rezultat i një përçarje të pariparuar mes partnerëve të koaliconit, dhe se ishte partneri që përbënte gjysmën e Qeverisë ai i cili kërkoi ndihmën e Kuvendit për t’i dhënë epilog krizës në Qeverinë e tyre.

“Pajtohem se kjo dramë politike na është dashur më së paku në këtë kohë të luftës për mbijetesë nga pandemia, por disfunksionaliteti institucional, e sidomos ai ekzekutiv, vetëm do ta vështirësonte më shumë menaxhimin e kësaj situate.

Të dy partnerët qeverisës është dashur të tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj kujdesit të shëndetit publik dhe të evitojnë mosmarrëveshjet apo edhe kaklkulimet politike në këtë kohë, kur jeta e njerëzve varet seriozisht nga efikasiteti menaxhues i Qeverisë”, tha Deliu-Kodra.

Më tutje, ajo tha se PDK-ja nuk kontriboi në provokimin e kësaj krize.

“As nuk kontribuam në provokimin e kësaj krize, as nuk e ushqyem, por treguam kujdesin maksimal që mosmarrëveshja të zgjidhet mes partnerëve, pa afektuar publikun e gjerë”, shtoi ajo.

Sipas deputetës së PDK-së, debati në Kuvend ka dëshmuar se sa ishte thelluar konflikti i brendshëm qeveritar, dhe se akuzat e rënda ndaj njëri-tjetrit deri në cilësime për tradhti, shfaqen pasqyrën e qartë të një krize të rënduar, e cila po të mos menjanohej, do të mund të prodhonte pasoja fatale në gjendjen në të cilën ndodhemi.

E pyetur nëse duhej të rrëzohej kjo Qeveri, Blerta Deliu-Kodra tha se asnjë Qeveri nuk do të duhej të rrëzohej në kulmin e një furtune, ku jetët e njerëzve varen drejtpërdrejt nga vendimet politike dhe menxheriale të saj. Por, njëkohësisht, asnjë Qeveri nuk duhet të tolerohet që në kohë të kanosjes kolektive, motor të energjisë ta ketë kalkulimin partiak.

Ajo tregoi që rrëzimi i Qeverisë Kurti, nuk ishte zgjedhja e tyre, por vetëm ishte ftesë nga partneri qeverisës (LDK), që ta ndihmojnë që të dal nga kjo krizë politike e shkaktuar me partnerin tjetër të Qeverisë (VV)