Deliu-Kodra kritikon Osmanin: E papranueshme heshtja e presidentes për Kodin Civil

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar heshtjen e presidentes Vjosa Osmani për mosmiratimin e Projektkodit Civil në të cilin përfshihet edhe bashkësia civile mes gjinive të njëjta.

Ajo ka thënë se mosreagimi i Osmani në këtë çështje “po e ridëshmon për të satën herë mungesën e aftësisë për të udhëhequr, së pari nga parimet humane e mandej politike”.

“E papranueshme mbetet heshtja e presidentes, mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit, gardiane e mbrojtjes së të drejtave njerëzore, e mbi të gjitha si një grua – në rastin konkret të dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili afekton të drejtën e trashëgimisë për gratë. Pozita që mban nuk e toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm. Përndryshe, kjo cilësohet abuzim me pozitën dhe ushtrimin e detyrës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i ploë:

Qeveria e arrogancës së numrave dështoi të sigurojë votat në radhët e veta për të miratuar Kodin Civil, i cili përveç tjerash, parasheh edhe përmirësimin e bazës ligjore të të drejtës së grave në trashëgimi. Ne si parti e kem arsyetuar qëndrimin tonë në Kuvend. Derisa shumica parlamentare mbivoton çdo iniciativë që në parashtrojmë (qoftë, projektligje, amendamente, rezoluta e akte të tjera, që në epiqendër kanë mbrojtjen e interesit të qytetarëve), duke demonstruar arrogancë pa dhënë asnjë shpjegim, ne nuk mund të rrijmë indiferent përballë kësaj qasje përjashtuese e shpërfillëse. Prandaj, ata e kanë përgjegjësinë e plotë edhe në rastin e votimit të këtij projekt-akti.

Po ashtu, e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme mbetet heshtja e Presidentes. Mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, e mbi të gjitha si një grua – kur bëhet fjalë, si në rastin konkret- lidhur me Projekt-Kodin Civil, i cili rregullon çështjet familjare, trashëgimore e veçanërisht, rolin e gruas në këto marrëdhënie.

Presidentja po e ridëshmon për të satën herë radhazi se ka deficit të theksuar të lidershipit dhe është e gatshme ti qëndroj besnike e madje ti nënshtohet kryeministrit, pa tentuar asnjëherë të kundërbalancoj politikat e qeverisë, veçmas kur ato nuk përfillin koncensusin dhe kompromisin e nevojshëm politik.

Pozita që mban nuk e toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm. Përndryshe, kjo cilësohet abuzim me pozitën dhe ushtrimin e detyrës!