Deli Lekaj ndër të parët që filloi organizimin e luftës së UÇK-së

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj ishte ndër pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare, i cili u plagos rëndë në vijat e frontit të hapur, mirëpo luftën nuk e ndali deri në çlirimin e Kosovës.

Kështu u tha në mbledhjen komemorative të organizuar nga Komuna e Deçanit, me rastin e vdekjes së ish-invalidit të luftës.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj vlerëso larë kontributin e Deli Lekajt dhe familjes së tij, për të cilën tha se ka dhënë kontribut edhe në familjen e gjaqeve.

“Deçani dikur është ndjerë krenar dhe ndihet krenar edhe sot, sidomos me të kaluarën e këtij qytetit, për arsyeje se Lumbardhit iu ka dëgjuar zëri prej aktiviteteve që familja e Deliut, bashkëfshatarët e këtij fshati e kanë dhënë një kontribut, sidomos në aktivitetin për pajtimin e gjaqeve, duke u nisur kjo nga ky fshat e pikërisht njëri nga akterët ka qenë edhe Delia në atë ngjarje…Megjithatë, njerëzit sfidohen në këtë jetë, obligim i gjithë familjes, obligim i yni është që me lehtësu me aq sa kemi mundësi këtë dhimbje dhe ta shohim perespëktiven përpara”, tha ai.

Komandanti i zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ka kujtuar ish-komandantin Lekaj si një figurë e lartë e një luftëtari shqiptar.

Haradinaj tha se Lekaj ka qenë ndër të parët që ka organizuar luftën e UÇK-së.

“Deli Lekaj e ka marrë përsipër organizimin e UÇK-së, jo vetëm në vendin e vet Lumbardh por në atë zonë, ka qenë ndër të parët që e ka filluar organizimin e luftës së UÇK-së…Gjatë luftës ka pas shumë vështirësi, se si po ndodh lufta dhe si po shkon, por për Deliun s’ka pas rëndësi, ai e ka ditë që është në vendin e vet e që po lufton për lirinë e vet dhe ka mbet i tillë. Nuk ka pas dilema asnjëherë në rrugën e vet për liri, njëkohësisht edhe në paqe ka mbajtur drejtimin, rrugën, bindjen e vet por një rruge e atdheut dhe e kombit”, tha ai.

Ai po ashtu tha se ish-komandanti ka lënë shumë vepra dhe porosi të mira që vendi ndihet krenar për të.

Ndërsa, vëllai i ish-komandantit, Esat Lekaj në një fjalë rasti falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen.

Në prill të vitit 1998, Deli Lekaj ishte ndër pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare, i cili u plagos rëndë në vijat e frontit të hapur, mirëpo luftën nuk e ndali deri në çlirimin e Kosovës.

Pas përfundimit të luftës, kontributin e tij për shtetndërtim e vazhdoi në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ku shërbeu si shef i operatives në zonën 3-të TMK-së, me Gradën e Kapitenit, të cilën detyrë e vazhdoi deri në transformimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u bë edhe pjesë e saj, por për shkak të plagëve të luftës, u pensionua para kohës.

Deliu ishte invalid i luftës së UÇK-së.