Delegacioni kosovar dhe ai serb përplasen edhe në Sarajevë

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, në përbërje të të cilit janë edhe Abdullah Hoti, Glauk Konjufca dhe Ismail Kurteshi, mori pjesë sot në punimet e Sesionit të Gjashtë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP E SEECP/PBEJL-së), me temën “Lidhje më e mirë për një jetë më të mirë – si të arrihet një ndryshim i madh në procesin e bashkëpunimit rajonal”, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, në emër të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili njëherësh është edhe Kryesues i Delegacionit të Kuvendit në këtë Asamble, delegacionin e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë sesion, nënkryetari Xhavit Haliti theksoi domosdoshmërinë e vendosjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel bilateral. Duke venë në pah pengesat e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe masave të vendosura nga Bonjë e Hercegovina për qytetarët e Kosovës, mesazhet e urrejtjes së ministrit serb Daçiq dhe komentet raciste të kryeministres Bërnabiq, si dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për një stabilitet afatgjatë politik e ekonomik dhe parakusht që të dy shoqëritë të avancojnë drejt Bashkimit Evropian, nënkryetari Haliti ritheksoi rëndësinë e këtij procesi dhe zotimin e shtetit të Kosovës për dialog, arritjen e marrëveshjes dhe njohjen reciproke.

Sa i përket marrjes nga ana e Kosovës të kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, nga Bosnjë e Hercegovina, nga korriku 2019/2020, nënkryetari Haliti, theksoi se “Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal dhe SEECP është një platformë e shkëlqyeshme për të përmirësuar gradualisht mënyrën e jetesës së qytetarëve tanë. Ne duhet të përkrahim edhe nisma të reja, organizata joqeveritare, shoqërinë civile në përgjithësi dhe të gjithë akterët tjerë, që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin. Por fillimisht, neve na takon të udhëheqim këtë proces. Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e vet dhe të marrë veprimet e duhura. Ne jemi krenarë që kemi arritur të jemi pjesë shumë më rëndësi e rajonit. Ne sot jemi jo vetëm konsumues të sigurisë, por edhe eksportues të saj, ku përmes FSK-së, kemi kontribuar në misione të ndryshme të NATO-s. Por këto janë të ditura dhe nuk do të thellohem shumë”.

Sesioni Plenar u parapri nga takimet e komisioneve të përgjithsme dhe Komisionit të përhershëm qendror, të cilat u mbajtën dje në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës. Gjatë takimeve të punës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u përfaqësua nga deputetët anëtarë: Glauk Konjufca, Komisioni i përgjithshëm për drejtësi, çështje të brendshme dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë, Avdullah Hoti, Komisioni i përgjithshëm për ekonomi, infrastrukturë dhe energji dhe Ismajl Kurteshi, Komisioni i përgjithshëm për zhvillim social, arsim, kërkim dhe shkencë.

Dje në takimet e komisioneve punuese, u vendos që Kosova të udhëheq edhe Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, në përiudhën 2019-2020, ndërsa Bullgaria do të udhëheq me Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, kërkime shkencore dhe shkencë.

Kurse sot gjatë seancës së Sesionit Plenar, Turqia ka vendosur që të kryesojë me Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë. Gjatë kryesimit të saj një vjeçar (2019/2020) Kosova do të udhëheq edhe takimin e Komisionit të Përhershëm Qendror dhe Sesionin Plenar (takimin e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve pjesemarrëse të SEECP).

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Bosnjë e Hercegovina, nuk arriti të miratojë dokumentin kryesor – Deklaratën e përbashkët përfundimtare, sepse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën konsensus për amendamentet që lidheshin me lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit, si një forcë shtytëse e rritjes ekonomike dhe integrimit në një treg më të gjerë evropian, me rëndësi të veçantë të zbatimit të plotë të rregullave dhe procedurave të CEFTA midis të gjithë pjesëmarrësve të kësaj marrëveshjeje.

Delegacioni i Kuvendit propozoi plotësimin e amendamentit të propozuar nga delegacioni serb: “Të gjitha palët duhet t’i respektojnë apo mbeshtesin plotësisht parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të pajtohen me marrëveshjet ekzistuese rajonale dhe dypalëshe. Për të ndodhur një gjë e tillë, pjesëmarrësit e SEECP-së zotohen që t’i njonin të gjitha autoritetet zyrtare respektive të vendeve të origjinës së produkteve”.

Delegacionet e Kosoves dhe Serbisë nuk u pajtuan me propozimet reciproke, duke paraqitur argumente pro dhe kundër. Ky amandament tejkaloi agjendën e paraparë, duke hapur një debat të gjatë në mes delgacionit te Kuvendit të Kosovës dhe delegacionit nga Parlamenti i Serbisë.

Sipas rregullores së punës së AP të SEECP-së, vendimet merren me konsensus. Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë sesion janë edhe delegacionet nga Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia. SEECP është një proces rajonal i themeluar në Sofje më 1996 me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin në dimensionin njerëzor, drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

Asambleja Parlamentare e SEECP-së ka një rol të rëndësishëm, pasi që është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore. Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e SEECP/PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta. Gjatë Samitit të Brdo, mbajtur me 14 prill 2018, u vendos që Kosova të marrë Presidencën dhe të kryesojë me SEECP në të gjitha nivelet.