Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë dhe NATO-n gjatë luftës çlirimtare, duke vlerësuar se ky partneritet ishte vendimtar për arritjen e lirisë së Kosovës.

Përmes një postimi, Haliti u shpreh se koordinimi ndërmjet UÇK-së dhe aleatëve perëndimorë krijoi kushtet për çlirimin e vendit dhe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës pas luftës.

“Bashkëpunimi i UÇK-së me aleatët ndërkombëtarë dhe NATO-n ishte jetik për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Haliti theksoi gjithashtu se forcimi i partneritetit me vendet perëndimore dhe integrimi në strukturat euroatlantike mbeten objektiva strategjike për Kosovën.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet fuqishëm për anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO, duke e konsideruar këtë si garanci për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

“PDK do të angazhohet fort për anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, ka theksuar Haliti.

Kandidati me numër 14 në listën e PDK-së ka vlerësuar se avancimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sigurisë është një ndër prioritetet kryesore për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit dhe për ruajtjen e paqes afatgjatë në rajon.