Del peticioni online që bën thirrje t’i jepet fundit obligimit për homologim

Qytetarët e vendit kanë filluar nënshkrimin e një peticioni online për t’i dhënë fund monopolit të Devollëve në homologim dhe këtij obligimi në tërësi. Ata po kërkojnë nga Kuvendi që të ndryshohet Ligji për Automjete. Deri tash peticioni është nënshkruar nga rreth 500 qytetarë. Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka reaguar së ambasadori gjerman, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ekonomisti Hekuran Murati ka nisur nënshkrimin e një peticioni online lidhur me monopolin e Devollëve për homologimin e automjeteve. Përmes këtij peticioni, po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim.

“Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara. Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete. Është koha që deputetët të tregojnë se a janë me të vërtetë përfaqësues të popullit apo marioneta të oligarkëve”, thuhet në peticion.

Në peticion thuhet se”Ministria e Infrastrukturës është vënë kryekëput në shërbim të kompanisë EuroLab dhe misionin kryesor e ka profitabilitetin e jësaj kompanie.”

Ndryshe, para disa ditësh për këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë dhe Oda Amerikane.

Ambasadori gjerman ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE-në??”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Edhe Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”, thuhet në komunikatën e tyre drejtuar mediave.

Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro.

Pra, secili qytetar apo kompani që blen vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.

Këtu mund ta nënshkruani peticionin

loading…