Del dëshmia: Manovrat e të dehurit në rrugë, iu morën jetën dy vajzave të reja shqiptare

Dy vajza të reja humbën jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e kësaj të diele, ndërsa dy të tjera ndodhen të plagosura në gjendje të rëndë, tek spitali i Traumës në Tiranë.

Nga aksidenti i ndodhur në dalje të tunelit Tiranë-Elbasan, humbën jetën Lusinda Garunja 21 vjeçe dhe Xheneta Qallia 23 vjeçe nga Shkodra.

Ndërkohë e plagosur mbeti motra e Lusindës, Nervida Garunja 23 vjeçe si dhe shoqja e tyre Denisa Dibra, 25 vjeçe, e cila ndodhej në drejtimin e mjetit.

Duke folur nga spitali Nervida ka deklaruar se drejtuesi i mjetit tjetër, i cili rezulton të ketë qenë Behar Pema, 58 vjeç, bënte manovra të rrezikshem në rrugë.

“Bënte manovra të rrezikshme. Para përplasjes doli disa herë nga korsia dhe na rrezikoi. Nuk ishte në rregull”, tha e mbijetuara.

Nga verifikimet e kryera, Pema i cili ndodhej në drejtimin e makinës tip ‘Benz’ me targa AA209AD, u gjet me nivel të lartë alkooli i dehur, duke u arrestuar.

Dy viktimat dhe dy të mbijetuar ishin duke udhëtuar me një makinë “Volkswagen Golf”, kur u përplasën nga Pema, në aksin Tiranë-Elbasan.