Dekorimi i gjeneralmajores Spahiu si Inspektore gjenerale të FSK-së, Kurti: Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur emërimin e gjeneralmajores Irfete Spahiu, si Inspektore gjenerale të FSK-së.

Sipas Kurtit, ky moment i veçantë ka hapur rrugën për dhjetëra vajza të cilat marrin pjesë në ushtri, duke zgjedhur rrugën e guximit dhe vendosmërisë.

May be an image of 6 people and people standing

“Përderisa festojmë arritjet e gjeneralmajores Irfete Spahiu, kujtojmë të gjitha ato gra të guximshme, që na mësuan sakrificën e dashurinë për vendin e popullin. Në të gjitha periudhat historike, në kohë lufte e paqeje, gratë i kanë shërbyer popullit e vendit tonë me trimëri e dashuri të pakusht. Në shumë raste kontributi i tyre është harruar, injoruar ose zvogëluar në histori” ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri ka shtuar gjithashtu se do të punohet për përfshirjen e grave dhe vajzave në ushtri.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten. Është edhe trasim i rrugës për çdo vajzë që ndjekë këtë drejtim në jetë me guxim dhe vendosmëri.

Forca e Sigurisë së Kosovës është mishërim i së kaluarës së dhimbshme e të lavdishme, dhe i së tashmes sfiduese. Andaj brezat e sotëm dhe të ardhshëm, i nderojnë gratë dhe burrat në uniformë, edhe duke mos e harruar angazhimin e kontributin e brezave të shkuar.

E ne do të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë për të ardhmen, që përfshirja e grave dhe vajzave në ushtri të jetë në frymën e barazisë dhe kapaciteteve që kanë ato.

Me dekret të Presidentes Osmani, gjeneralmajorja Spahiu u emërua Inspektore gjenerale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pozitë që më herët e mbajti gjenerallejtënant Bashkim Jashari, tash Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjeneralmajores Irfete Spahiu i dëshiroj punë të mbarë e suksese në detyrën e saj në shërbim të vendit dhe paqes.