Gjatë kësaj jave u konfirmua edhe zyrtarisht se koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës është ndërprerë. Këta të fundit, e konfirmuan këtë përmes një reagimi publik. Cila është “e vërteta” e Përparim Ramës dhe si filluan përçarjet?

Kryetari i kryeqytetit në një intervistë ka thënë se pakënaqësitë e ish-partnerit të koalicionit nisën në tetor 2023, dhe kjo sipas tij, për shkak që “nuk iu dërguan pikat e rendit të ditës”.

“Tri seanca nuk ka ardhur në Kuvend. Më kanë thënë se duhet së pari t’ua dërgoj atyre këto pikat e rendit të ditës, pastaj të tjerëve. Unë kam thënë që s’e kam problem pasi ato pika dërgohen prej të gjithë drejtorëve dhe i shkojnë gjithë Asamblesë. Nuk e di pse nuk kanë ardhur më pas. Mua kjo nuk më duket e logjikshme”- ka thënë ai në “Kallxo Pernime”.

Sipas Ramës, problemi me mbeturinat ka qenë nga fillimi dhe janë ndarë fonde e subvencione për drejtorin, por sipas tij, nga ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i ishte thënë se “e kanë plan ta zgjidhin”.

“Në gusht u kam thënë se kjo është e fundit sepse nëse nuk ka mundësi të kryejë punë vetëm “‘Pastrimi”, na duhet ndihmë. Më janë lutur të vazhdojë deri në nëntor, drejtori i Shërbimeve Publike, ‘Pastrimit’ dhe nënkryetarja”- citohet se ka thënë ai, duke vazhduar më pas se zgjidhja nuk është bërë.

Rama ka thënë se vendimi nuk ka të bëjë me Badovcin, ndërsa për Donjeta Sahatçiun, ish-nënkryetaren e shkarkuar tashmë, ka deklaruar se “ka sabotuar planin e komunës për digjitalizim”.

VIDEO BONUS: Adresimi i plotë, i përkthyer në shqip, i Albin Kurtit në mbledhjen mbrëmshme të KS së OKB-së