Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për mosdhënie të ndihmës në aksidentin e shkaktuar nga pakujdesia

G.D, është deklaruar i pafajshëm në rastin ku ai po akuzohet për mosdhënie të ndihmës ndaj personave të lënduar në aksident trafiku, të cilin e kishte shkaktuar vetë nga pakujdesia.

Një deklarim të tillë, i akuzuari D., e ka dhënë të premten në seancën fillestare pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e ndjej veten fajtor” deklaroi i akuzuari D.

Pas deklarimit të të akuzuarit D. lidhur me fajësinë, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj e ka njoftuar atë me të drejtën se brenda afati ligjor prej 30 ditëve mund të paraqes kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Gjykatësi Sadikaj deklaroi se lidhur me kërkesat eventuale, gjykata do të vendos jashtë seance dhe shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet.

Seanca fillestare lidhur me këtë rast dy herë kishte dështuar të mbahej, e ajo e caktuar më 31 mars dhe 12 prill të këtij viti.

Seanca e caktuar më 31 mars 2022, kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit D.

Ndërsa, ajo e 12 prillit të këtij viti ishte shtyrë, për shkak se mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e marrë më 7 korrik 202, ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit D., me arsyetimin se vepra penale për të cilën akuzohet D. nuk përbën vepër penale por kundërvajtje, mirëpo pas ankesës së prokurorisë Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen në rivendosje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me aktakuzën e ngritur më 1 korrik 2021, G.D. po e ngarkon me veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Sipas aktakuzës më datë 5 mars 2021, në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, i pandehuri D. me dashje nuk ka ndihmuar të lënduarit në aksident trafiku Xh.K., Z.K., D.K. dhe D.K., duke u larguar pas aksidentit, të cilin e kishte shkaktuar nga pakujdesia derisa po drejtonte automjetin e tij.

Si pasojë e pakujdesisë, duke mos u siguruar se i rrezikon pjesëmarrësit e tjerë, i njëjti ka ndërruar shiritin duke goditur kështu automjetin që po drejtonte i dëmtuari Xh.K. dhe ka shkaktuar aksident trafiku ku kanë marr dëmtime të lehta trupore të dëmtuarit e lartcekur.

Me këtë ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës ndaj personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik nga neni 374, par.1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burg deri në një vit. /BetimipërDrejtësi